Secondary Adv

Autoriteti i Konkurrencës do të hapë hetim të thelluar për tregun celular

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim të thelluar për tregun celular – dyshohet kufizim i konkurrencës nga Vodafone dhe One Albania.

Autoriteti i Konkurrencës do të hapë një hetim të thelluar për tregun me pakicë të shërbimeve celulare, pas konstatimeve paraprake që sugjerojnë mundësi për kufizim të konkurrencës nga operatorët kryesorë Vodafone Albania dhe One Albania.

 

Rritja e çmimeve nxit hetimin

Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, deklaroi në Kuvend se analiza paraprake ka zbuluar të dhëna që justifikojnë një hetim të thelluar. Procedura nisi pas ankesave të konsumatorëve për rritje të çmimeve të paketave me parapagesë nga dy operatorët kryesorë të tregut. Hetimi përfshin periudhën nga janari 2022 deri në dhjetor 2024.

 

Autoriteti vlerëson se sjellja e operatorëve mund të përbëjë kufizim të konkurrencës në kuptim të neneve 4 dhe 9 të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

 

Konsumatorët po paguajnë më shumë për shërbimet celulare

Sipas të dhënave të AKEP, shqiptarët shpenzuan mesatarisht 9,200 lekë për shërbime celulare gjatë 2024-s, 16% më shumë se një vit më parë. Edhe çmimi mesatar për minutë thirrje u rrit në 5.54 lekë. Operatorët kanë aplikuar politika të reja që u lejojnë të indeksojnë tarifat çdo vit sipas inflacionit mesatar.

 

Ndërkohë, fitimet e kompanive janë rritur ndjeshëm: Vodafone Albania mbylli 2024-ën me fitim neto prej 1.2 miliardë lekësh, ndërsa One Albania me 476 milionë lekë – shumë më lart krahasuar me vitin e mëparshëm.

 

Treg në fokus për mbrojtjen e konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës e ka cilësuar tregun celular si një ndër më strategjikët, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka te konsumatorët dhe ekonomia dixhitale. Hetimi i ri pritet të analizojë praktikat e çmimeve dhe marrëveshjet e mundshme që mund të kufizojnë konkurrencën reale mes operatorëve.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat